
Në procesin ndaj deputetit Tom Doshi, ish-deputetit Mark Frroku dhe Durim Bamit, Prokuroria kërkoi të thirren si dëshmitarë 50 persona, mes tyre politikanë të njohur, drejtues policie dhe biznesmenë.
Prokurori Adnan Xholi i tha Gjykatës së Lartë se duhet dëgjuar dëshmia e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, president i zgjedhur, kryeministrit Edi Rama, deputetëve Monika Kryemadhi e Petrit Vasili, ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ish-kryeministrit Sali Berisha, deri tek ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi.
Gjykata ndërhyri me pyetjen, nëse për ekonomi gjyqësore, a është e nevojshme marrja e dëshmisë së të gjithë të përmendurve? Një pyetje kjo që mori përgjigjje pohuese nga prokurori i çështjes. Por kolegji penal i Gjykatës së Lartë do të shprehet mbi kërkesat e palëve në datën 17 maj, mes tyre edhe për qëndrimin e avokatëve të Tom Doshit, që kërkojnë si dëshmitar edhe Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla.
“Padiskutim që jemi dakord që të thirren si dëshmitarë kryeministri dhe të tjerët. Nëse do ta ndihmonte procesin kjo, e mira do të ishte që Prokuroria të tërhiqte akuzat, sepse aty nuk ka akuzë. Por meqenëse Prokuroria e kërkon, edhe ne jemi dakord”, tha avokati Vladimir Meçe.
Doshi, Frroku dhe Bami do të përballen me drejtësinë për veprën e “kallëzimit të rremë”, pasi sipas Prokurorisë, ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në vitin 2014 bashkëpunuan duke krijuar prova të rreme, në mënyrë që të niste ndjekja penale kundër kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta. Prokuroria tha se nuk ka ekzistuar ndonjë plan për të eliminuar deputetin Tom Doshi, ashtu sikurse deputeti pohoi asokohe para autoriteteve.
Top Channel