Gjykata rrëzon HEC-in e Poçemit

02/05/2017 00:00

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë pranoi padinë e 38 banorëve të fshatit Kute në Mallakastër, të cilët prej muajsh kundërshtojnë ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në rrjedhën e poshme të lumit Vjosa.

Gjyqtari Avni Sejdi deklaroi të pavlefshëm urdhrin e ministrit të Energjitikës dhe Industrisë dhe çdo akt tjetër që i paraprin atij për realizimin e procedurave koncensionare.

Gjykata u shpreh se banorët nuk ishin përfshirë në dëgjesën publike për këtë investim, megjithëse ata janë pala e interesuar. Sipas gjykatës, rezultoi e provuar se ka patur vetëm një seancë për të përfshirë komunitetin e këtyre fshatrave dhe takimi nuk është realizuar pranë zonës ku do investohej, por në Fier.

Sipas gjykatës, evidentohet se në këtë takim, lista ka qenë fiktive dhe jo me emrat e banorëve. Ndërtimi i hidrocentralit, sipas trupës gjyqësore, influencon në mjedis. Të njëjtën gjë tha gjatë përfaqësimit të 38 banorëve nga Poçemi edhe avokati Vladimir Meçi, sipas të cilit, një investim i tillë ka ndikim negativ në lumin Vjosë.

Është hera e parë që banorë vijnë në një gjyq të tillë.

Top Channel