Bashkia e Tiranës, projekt furnizimi me ujë për 300 mijë banorë

02/05/2017 00:00

Për 300 mijë banorë të Tiranës synohet të mos ketë më probleme me furnizimin me ujë të pijshëm, pasi Bashkia e Tiranës ka nisur pjesën e dytë të investimit për zëvendësimin e linjës kryesore që lidh këtë rrjet me tubacionin kryesor, që kalon në rrugët “Ali Visha” dhe “Mihal Grameno”.

“Është një nga linjat kryesore që furnizon me ujë të gjithë Tiranën. Është një investim, i cili bëhet për të zëvendësuar tubacione që Tirana i ka pasur që nga viti 1958, kur këtu jetonin më pak se 100 mijë banorë, ndërkohë që sot ka 10-fishin e popullsisë. Kuptohet lehtë se këto tubacionet nuk ia dalin të furnizojnë Tiranën me 24 orë ujë të pijshëm, le pastaj të ofrojë shërbime. Çdo qindarkë që paguhet për Ujësjellësin e Tiranës shkon për investime. Do të vijojmë me këtë investim gjatë të gjithë verës, pa ndërprerje, pavarësisht se ka zgjedhje, pavarësisht se ka pushime, pavarësisht temperaturave të larta, sepse gjykojmë se është shumë e rëndësishme që këtë projekt strategjik, i cili furnizon 300 mijë qytetarë të Tiranës me ujë, dy herë më shumë sesa ai që kishim, është i një rëndësie të veçantë”, tha Erion Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të mos e shpërdorojnë ujin, pasi do të penalizohen.

“Është një skenë e denjë për një dokumentar të vendeve më të pazhvilluara, dalja me zorrë për të lagur rrugët me ujë të pijshëm. Kjo është anormale e nuk duhet të ndodhë më! Sigurisht që do të reagojmë me gjoba për disiplinimin e nevojshëm që uji i pijshëm, që mezi e sjellim në Tiranë, të mos shpërdorohet as nga lavazhi, as nga freskimi i rrugës”, tha Veliaj.

Bashkia e Tiranës njofton gjithashtu se për çdo problematikë apo emergjencë, qytetarët mund të telefonojnë në numrin e gjelbër 0800-44-88.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA