Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se “mashtrimi dhe propaganda ishin veçori të regjimit komunist, mashtrimi dhe propaganda janë arma më e fuqishme e Edi Ramës”.
“Thotë se ka futur në punë 80 mijë veta nga zyrat e punës në këto 4 vite. Njeriu që premtoi 300 mijë vende pune, ka për bilanc 300 mijë të larguar nga vendi”, tha Basha.
Kreu i PD-së shtoi: “1 Maji nuk ka si të jetë festë për ata që kanë njohur komunizmin, por dita për të kujtuar se deri ku mund të poshtërohet një popull nga një regjim që ka humbur çdo ndjenjë realiteti dhe përgjegjësie përpara fateve të popullit të vet. Kush e harron historinë, është i destinuar ta përsërisë”.
Sërish, Basha vuri theksin në fjalën e tij te ekonomia e vendit.
“Me taksat e larta, me arrogancë, me rritjen e çmimit të energjisë dhe me shkatërrimin e rendit, Rama e shkatërroi ekonominë shqiptare. E dinë të gjithë këtë. Në këto 4 vite pati një recesion total të ekonomisë, rënie të investimeve dhe fuqisë blerëse”, tha Basha.
Top Channel