Veliaj-Bliss: Bashkëpunim për “Axhendën e Gjelbër”

29/04/2017 00:00

Kreu i bashkisë Erion Veliaj është takuar me homologen e tij të Grand Rapids në SHBA, Rosalynn Bliss.

Ata biseduan mbi mënyrat e bashkëpunimit mes dy qyteteve dhe për shkëmbimin e eksperiencave të suksesshme, veçanërisht përsa i përket “Axhendës së Gjelbër”.

Kryebashkiaku i Tiranës e njohu homologen e tij, znj. Bliss, me nismën e Bashkisë së Tiranës për projektin strategjik të Pyllit Orbital, që parashikon mbjelljen e 2 milionë pemëve të reja rreth qytetit, deri në vitin 2030, duke krijuar një kurorë të gjelbër. Po ashtu, Veliaj foli edhe për vëmendjen e veçantë që i është kushtuar përmirësimit të transportit publik, si dhe ndërtimit të korsive të dedikuara për biçikletat. Ai tha se Bashkia ka hartuar tashmë edhe një masterplan të korsive të biçikletave për gjithë Tiranën, ku çdo investim i ri në infrastrukturë do të përmbajë edhe korsinë për  biçikletat.

Dy bashkëbiseduesit theksuan nevojën e gjetjes së mundësive të reja të bashkëpunimit sa i përket shfrytëzimit të energjisë së rinovueshme, një çështje e cila po merr gjithnjë e më shumë rëndësi në të gjithë botën.

Në fund, Veliaj i dha kryetares së Bashkisë së Grand Rapids, Rosalynn Bliss, Kullën e Sahatit të Tiranës, si një vlerësim për mikpritjen që u është bërë ndër vite komunitetit të shqiptarëve që jetojnë atje.

Kryebashkiaku Veliaj, si ish student i “Grand Valley State University”, është një nga tre folësit e nderit në ceremoninë e diplomimit të 3 mijë studentëve atje. Kjo nuk është hera e parë që ai vlerësohet si model suksesi nga universiteti “Grand Valley” në SHBA.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA