Borxhi ra në 68.4 përqind

29/04/2017 00:00

Borxhi publik i Shqipërisë u ul sërish në tremujorin e parë të vitit duke vazhduar tendencën pozitive të nisur pas 2015-ës. Të dhënat zyrtare tregojnë se në fund të marsit borxhi i qeverisë zbriti në 68.4 përqind e Prodhimit Kombëtar nga 71 përqind, që ishte në fund të vitit të kaluar.

Kjo është herë e parë në 15 vjet që borxhi kombëtar ulet në një vit zgjedhor. Në të shkuarën, fushatat elektorale janë shoqëruar gjithmonë me rritje të borxhit për shkak të rënies së të ardhurave buxhetore, por edhe rritjes së shpenzimeve nga qeveritë përpara zgjedhjeve.

Këtë vit, të dhënat zyrtare tregojnë se të paktën në tremujorin e parë, Ministria e Financave jo vetëm që nuk ka marrë borxh të ri, por ka shpenzuar më pak sesa të ardhurat e mbledhura.  

Vitin e kaluar me propozim të Ministrisë së Financave parlamenti miratoi një ligj, i cili forcon disiplinën fiskale duke e detyruar qeverinë ta ulë borxhin nga viti në vit derisa ai të zbresë në 45 përqind e prodhimit kombëtar.  

Në të njëjtën kohë ligji e kufizon qeverinë të mos shpenzojë më shumë se 55 përqind të deficitit vjetor brenda gjashtëmujorit të parë të vitit, për shmangur shthurjen e buxhetit në prag të zgjedhjeve, një situatë me të cilën Shqipëria është përballur jo pak herë në të shkuarën.

Në buxhetin e 2017-ës, qeveria është angazhuar që për të gjithë vitin shifra e borxhit të ulet në 68.9 përqind e Prodhimit Kombëtar duke rënë për të dytin vit rresht për herë të parë që nga viti 2007. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA