Kriza, kosto biznesit. Sipërmarrësit po humbin entuziazmin

27/04/2017 00:00

Biznesi ankohet se kostot e krizës politike mbi ekonominë janë duke u rritur me shpejtësi. Arben Shkodra nga Dhoma e Tregtisë thotë se bizneset po humbasin entuziazmin.

“Ne sot kemi sipërmarrës, të cilët kanë filluar të humbasin entuziazmin për të investuar në këtë klimë të paqartë politike”, thotë Shkodra.

Për Luan Bregasin, kriza politike krijon një situatë depresioni mbi biznesin, duke e detyruar atë të lërë mënjanë projektet e reja.

“Kemi refleksione, kemi frenime, ndalime të projekteve të investimeve të huaja në Shqipëri, bashkëpunimeve që kanë kompanitë e vendit me të huajat dhe presim që të zgjidhet kjo situatë dhe pastaj të shohim se ç’mund të bëjmë në Shqipëri”, thotë Bregasi.

Por shqetësimi më i madh i sipërmarrjes është pasiguria për të ardhmen. “Ne gjendemi në një situatë jo shumë të qartë se kush do jetë shtatori i këtij viti. Se si do fillojë, kush do jetë forca politike që do udhëheqë qeverinë dhe më pas ekonominë”, nënvizon Shkodra.

“Ne kemi përpara një verë turstike dhe kjo verë turistike me këtë klimë politike për të huajt nuk është shumë mikpritëse”, vijon Bregasi.

Në këto kushte, sipërmarrësit kanë njëzëri vetëm një kërkesë për përfaqësuesit e politikës. “Është momenti që klasa politike të demonstrojë përgjegshmëritë e veta. Të ulen të gjejnë zgjidhjen më të mirë për vendin, për ekonominë, por edhe për sipërmarrjen private”, shton Bregasi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA