Ndërhyrjet në bregdet, IKMT në Durrës nuk ka mjete t’i shkatërrojë

26/04/2017 00:00

Afrimi i sezonit turistik e gjen vijën bregdetare të Durrësit të copëtuar nga ndërhyrjet pa kriter të subjekteve të ndryshme që kërkojnë të shmangin pasojat e erozionit para objekteve të tyre, por edhe të përfitojnë sipërfaqe të reja toke nga deti për zgjerim të aktiviteteve fitimprurëse.

Gjatë një vëzhgimi në plazhin e madh të Durrësit dhe në veri të tij, në drejtim të Currilave syri të zë platforma betoni në det, madje dhe palma të mbjella në to, pirgje me inerte dhe mole.

Të gjitha ndërhyrje pa leje, të cilat nuk respektojnë rrymat detare e cenojnë rëndë ekosistemin. Në Inspektoriatin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit në Durrës pranojnë se i kanë konstatuar një pjesë të këtyre ndërhyrjeve, por nuk kanë mjete për të ndërhyrë.
 
“Ne nuk iekzekutojmë dot prishjet për arsye se nuk kemi në dispozicion mjetet për të bërë të mundur ekzekutimin e tyre. Për vendimin që është marrë në plazh, është bërë edhe shkresë IKMT qëndror dhe kemi në dispozicion një shkresë ku thonë që dhe ata nuk disponojnë mjete të tilla për të  ekzekutuar këtë vendim”, thotë Artur Çela, Kryeinspektor i IKMT Durrës.
 
Ndërsa Ministri i Mjedisit Lefter Koka thotë se është përgjegjësi e bashkive të ndalin këtë dukuri me pasoja të rënda. Madje ai shkon më tej duke e lidhur këtë aktivitet të paligjshëm me një mënyrë kompensimi që u bëhet individëve të veçantë në këmbim të votave.

“Ndërhyrje që bëhen pa patur një studim, personalisht do të thoja nuk mendoj që Shqipëria nuk duhet të zhvillohet përsa i përket turizmit përgjatë bregdetit të saj turistik. Por të kuptohemi, çdo ndërhyrje e bërë në mënyrë të pastudiuar krijon dëme shumë më të mëdha nga ajo çka përfiton një individ. Ajo që është më kryesorja dhe besoj që po ndodh rëndom është kompensimi që pushteti i bën individit për të përfituar në zgjedhje. Pra, ndërto një mol të më japësh ca vota. Kjo besoj që është ajo që po ndodh rëndom në bashkitë e Shqipërisë”, thotë Lefter Koka, ministër i Mjedisit.

Në bashkinë e Durrësit thonë se ndërhyrja i takon Agjencisë  Kombëtare të  Bregdetit dhe IKMT-së.

Top Channel