Tmerr në Ekuador, gjenden pesë koka njerëzish të varura në një plazh turistik me një mesazh kërcënues Punonjës të maskuar të bashkisë së New Orleans, të veshur me jelekë antiplumb, hoqën një monument të Konfederatës, i cili sipas zyrtarëve ishte një simbol i të shkuarës raciste të jugut amerikan.
Të ruajtur nga snajperat e policisë, punonjësit hoqën me shpejtësi statujën gjatë natës, në një operacion sekret, për të shmangur protesta të mundshme. Bashkia e New Orleans tha se statuja do të dërgohet diku tjetër, ku të vendoset në një kontekst historik.
Kreu i bashkisë së New Orleansit, Mitch Landrieu tha se punonjësit ishin përballur me kërcënime të forta. Pjesët e obeliskut për betejën e Liberty Place, u larguan me kamionë, targat e të cilëve ishin mbuluar.
Monumenti u ngrit në vitin 1891 dhe përkujtonte përpjekjet e Ligës së bardhë të qytetit për të rrëzuar qeverinë e pas luftës civile. Në mbishkrimin origjinal të monumentit, lavdërohej supremacia e bardhë në jug, por ky mbishkrim ishte hequr prej vitesh.
Krye-bashkiaku Landrieu, e cilësoi monumentin si më ofenduesin në qytet. Prej kohësh, bashkia e New Orleans ka nisur operacione për të hequr monumente të ngjashme nga qyteti, i cili sipas Landrieu, është shembull diversiteti, gjithë-përfshirjeje dhe tolerance.
Vendimi final për heqjen e monumenteve u mor në dhjetor 2015, pasi një supremacist i bardhë vrau 9 besimtarë me ngjyrë në një kishë në Karolinën e Jugut.
Top Channel