
Vizita e Ivanka Trump në Berlin po shoqërohet me masa të rrepta sigurie. E bija e shefit të Shtëpisë së Bardhë ndalon në Gjermani me ftesë të Kancelares Angela Merkel, për të marrë pjesë në samitin e G20-s kushtuar grave.
Në kryeqytetin gjerman, më e preferuara e fëmijëve të Trumpit do të flasë për femrat sipërmarrëse dhe mënyrën sesi do të mbështeten ato. 35-vjeçarja do të qëndrojë vetëm pak orë, por vëmendja tashmë është spostuar e gjitha tek ajo.
Ivanka është njeriu që Trump dëgjon gjithmonë me vëmendje, e ashtu si i shoqi, mban edhe një post këshilltareje pa pagesë në Shtëpinë e Bardhë. Merkel e mësoi mirë para 6 javësh, kur vizitoi Uashingtonin, sesa larg shkojnë kompetencat e vajzës së presidentit amerikan.
Ivanka e rregulloi asokohe renditjen e personave në takimin me përfaqësues të ekonomisë, në mënyrë të tillë që të ishte në krah të kancelares. Të dyja duket se u kuptuan shumë mirë me njëra-tjetrën.
Gjermania mban presidencën e radhës së G20-s, krerët e të cilit në fillim të korrikut do të takohen në Hamburg. Në podium, krahas Ivankës, në panelin e diskutimeve do të jetë vet Merkel, shefja e FMN-së Christine Lagarde, Mbretëresha e Holandës Maxima, ministrja e Jashtme kanadeze, Chrystia Freeland, si dhe kryesuesja gjermane e firmës “Trumpf”, Nicola Leibinger-Kammüller.
Vëmendja që po rrëmben Ivanka edhe në çështjet politike ka bërë që shumë media ta pagëzojnë si “Zonjën e vërtetë të Parë” të Shteteve të Bashkuara. Rolin e “First Lady”-t, si asistente jozyrtare diplomatike, politike dhe ceremoniale, ajo e ka mbushur që ditën e parë, duke eklipsuar në këtë drejtim Melanian.
Top Channel