OBSH, projekt pilot në 3 shtete për vaksinën antimalarje

24/04/2017 00:00

Vaksina e parë në botë kundër malaries do të shpërndahet në 3 vende, Gana, Kenia dhe Malavi, duke filluar nga viti i ardhshëm. Vaksina “RTS.S” trajnon sistemin imunitar që të sulmojë parazitin e malarjes, që përhapet nga pickimi i mushkonjave.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se vaksina ka potencial që të shpëtojë dhjetëra e mijëra jetë njerëzish. Por nuk është ende e qartë, nëse do të jetë e disponueshme për t’u përdorur në pjesët më të varfëra të botës.

Vaksinimi ndahet në 4 pjesë, një herë në muaj për 3 muaj radhazi dhe një dozë e katërt 18 muaj më vonë.

Kjo është arritur pas kontrolleve dhe testimeve klinike, por nuk është ende e qartë sesi do të funksionojë në botën reale, ku qasja në kujdesin shëndetësor është e kufizuar.

Ndaj dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë po implementon projekte pilot në 3 vende, për të parë nëse një program i plotë vaksinimi për malarien mund të nisë. Ajo po ashtu do të vazhdojë të vlerësojë sigurinë dhe efektivitetin e vaksinimit.

Në programin pilot do të përfshihen më shumë se 750 mijë fëmijë të moshës mes 5 dhe 17-muajsh. Gana, Kenia dhe Malavi janë përzgjedhur për faktin se janë duke punuar shumë për të luftuar malarjen, ndërkohë që përballen me një numër të lartë rastesh.

Pavarësisht progresit, ka ende 212 milionë raste të reja me malarje çdo vit dhe 429 mijë viktima. Afrika është më e goditura, ndërsa pjesa më e madhe e viktimave janë fëmijë.

Top Channel