
Në Ditën Ndërkombëtare të Tokës, Ministri i Mjedisit, Lefter Koka zgjodhi bregdetin e Durrësit, që ende lëngon nga mbetjet urbane, për të përcjellë mesazhe në mbrojtje të mjedisit, duke u bërë pjesë e një aksioni pastrimi së bashku me të rinj vullnetarë.
“Kjo është një ditë kur të gjithë kontribuojnë dhe nisma e ministrisë është që të gjithë të angazhohen. Mjedisi kërkon punë të përditshme e të përvitshme. Vendimi për vendosjen e moratoriumit të pyjeve ka qenë historik dhe nga vend eksportues i lëndës drusore, jemi kthyer në vend importues. Mbetjet inerte kanë mbi 25 vjet dhe duan kohë të dekompozohen”, tha Koka.
Ministri deklaroi se janë bashkitë ato që duhet të angazhohen konkretisht në pastrimin dhe mirëmbajtjen e bregdetit dhe territorit që kanë nën administrim, ndaj i bëri thirrje drejtuesve të pushtetit vendor të ndërgjegjësohen, pasi dëmet në mjedis janë të mëdha.
“Shumë prej kryetarëve të bashkive nuk e kanë kuptuar ende se me reformën administrative territoriale kanë sipërfaqe shumë më të madhe se më parë. Qytetet duhet të kenë dhe zona cilësore si ky park dhe jo vetëm sheshet. Masat administrative që vendosin inspektorët e mjedisit janë shumë të vogla krahasuar me dëmin që bëhet në terren”, tha Koka.
Në këtë ditë, Korpusi i Vullnetarëve propozon që në emër të një mjedisi më të pastër e jete më të shëndetshme, autoritetet vendore të ndëshkojnë me masa administrative jo vetëm bizneset dhe institucionet, por edhe individët që ndosin.
Top Channel