Klimë terrori në Francë. 57 mijë policë për sigurinë në zgjedhje

22/04/2017 12:20

Franca shkon në zgjedhje në kohë terrori. Raundi i parë i presidencialeve të së dielës zhvillohet në një situatë të ndryshuar tashmë. Ishte e qartë që masat e sigurisë do të forcoheshin gjatë procesit të votimit, por tani ato do të marrin një tjetër përshkallëzim.

50 000 policë do të angazhohen në mbarë vendin, të mbështetur edhe nga 7 000 forca ushtarake. Atentatet e viteve të shkuara në Evropë tregojnë se pavarësisht vendosmërisë së shteteve të ndryshme kundër ekstremistëve, mbetet gjithmonë një shkëndijë pasigurie.

Terrorizmi nuk mund të kontrollohet tërësisht. Pas incidentit në Champs Elysee, liderja e ekstremit të djathtë Marine le Pen kërkoi mbylljen e të gjitha xhamive në vend. Kryeministri Bernard Cazeneuve e akuzoi se po përpiqet të nxjerrë përfitime prej ngjarjes së rëndë: “Kandidates së Frontit Nacional i pëlqejnë dramat. Ajo kërkon në çdo rast të përfitojë prej tyre e të kontrollojë situatën duke hedhur farën e përçarjes”.
 
Një shënim i shkruar me dorë, që lëvdonte grupin militant Shteti Islamik u gjet pranë personit të armatosur, të dyshuar për vrasjen e një polici dhe plagosjen e dy të tjerëve në kryeqytetin francez. Sipas zyrtarëve të antiterrorit, emri i agresorit 39-vjeçar Karim Cheurfi figuronte prej kohësh në të dhënat e policisë, ku përfshihej edhe një përpjekje e dështuar për të sulmuar forcat e rendit.

Cheurfi ishte arrestuar në muajin shkurt, por autoritetet ishin detyruar ta lironin për mungesë provash. Kreu i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump shkroi të premten në Twitter se sulmi në Paris do të ketë ndikim në zgjedhjet presidenciale, ndërsa për zëvendëspresidentin Mike Pence, episodi që tmerroi Francën është një tjetër kujtesë e faktit se terrorizmi mund të godasë kudo dhe në çdo kohë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA