“Fiks Fare” zgjidh problemin e kanalit që përmbyste familjet në Fushë Kuqe

21/04/2017 00:00

“Fiks Fare” ka zgjidhur problemin e 100 familjeve në fshatin Fushë Kuqe të Kurbinit. Ata, prej 10 vitesh përmbyten nga kanali kullues. Ky i fundit është mbyllur në një pjesë të tij nga një banor i zonës, i cili ka ndërtuar biznesin e tij privat.

Përgjatë 10 viteve, banorët janë ankuar vazhdimisht në ish-komunën, e cila aktualisht është Njësia Administrative Fushë Kuqe, por zëri i tyre nuk është dëgjuar. Ata i janë drejtuar gjithashtu edhe Bashkisë së Kurbinit, si dhe Prefekturës së Qarkut Lezhë.

Madje, edhe pse kjo e fundit në 8 nëntor të 2016-s i është drejtuar me një shkresë zyrtare Bashkisë së Kurbinit, që të ndërhyjë për të hapur kanalin, sërish situata nuk ka marrë zgjidhje.

Ndodhur në një situatë të tillë, banorët i janë drejtuar emisionit “Fiks Fare”.

“Ky kanal ka mbi 10 vite që është mbyllur nga një banor i zonës, i cili ka hapur një klinikë dentare. Veç kësaj problematike, kanali ka mbi 20 vite që nuk pastrohet. Gjatë dimrit ne këtu përmbytemi”, shprehet një nga banorët.

Ndërsa një tjetër tregon se, edhe pse i janë drejtuar me dhjetëra herë si Njësisë Administrative, ashtu edhe Bashkisë së Kurbinit, nuk kanë gjetur zgjidhje.

“Kemi mbi 10 vite që u drejtohemi institucioneve, por asnjë zgjidhje. Ju jemi drejtuar juve meqë shteti nuk e ka vënë ujin në zjarr”, thotë ai.

“Fiks Fare” ka vajtur në Njësinë Administrative Fushë Kuqe. Kryetari Kristo Martinaj, i cili ka 6 muaj në detyrë, është shprehur se e njeh këtë problematikë.

“Jam në dijeni të situatës dhe do t’i japim zgjidhje. Ky kanal ka 20 vite që nuk pastrohet. Ne do ndërhyjmë brenda 10 ditësh”, tha ai.

Pas 10 ditësh, “Fiks Fare” ka shkuar sërish në vendngjarje. Njësia Administrative ka vepruar duke mbajtur premtimin e dhënë. Kanali është hapur dhe pastruar nga mbeturinat e shumta. Banorët kanë falenderuar emisionin “Fiks Fare” që vuri në lëvizje institucionet.

“Atë që nuk e zgjidhi shteti për shumë vite, e zgjidhi ‘Fiks Fare’. Ju falënderojmë shumë që ndërhytë”, u shpreh një nga banorët.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA