Çështja “CEZ”, dy kallëzime në Prokurorinë e Përgjithshme

21/04/2017 00:00

Në Prokurorinë e Përgjithshme kanë mbërritur dy padi për çështjen “CEZ”, me ndryshimin e vetëm se e para vjen nga raporti përfundimtar i Komisionit parlamentar që hetoi privatizimin e OSSH-së nga ana e “CEZ”-it.

Në padinë e parë akuzohen ish-zyrtarë të qeverisë “Berisha” dhe në të dytën akuzohen zyrtarët e qeverisë “Rama”. Padia e parë është dorëzuar zyrtarisht në Prokurori menjëherë pas leximit të gjetjeve të raportit përfundimtar në fillim të muajit prill në Kuvend, nga kryetari i komisionit Taulant Balla, ndërsa e dyta është dorëzuar pranë organit të akuzës më 18 prill.

Konkretisht, kryeministri Edi Rama, ministrat Gjiknuri, Ahmetaj dhe ish-ministri Cani, Avokatja e Shtetit Alma Hiçka dhe Sekretari i Përgjithshëm Engjëll Agaçi janë kallëzuar penalisht nga anëtarët demokratë të komisionit hetimor për marrëveshjen midis Shqipërisë dhe kompanisë “CEZ”.

Këta zyrtarë kallëzohen penalisht për dëm financiar 650-800 milionë euro. Demokratët i janë drejtuar përmes një shkrese zyrtare kryeprokurorit Adriatik Llalla, duke i kërkuar nisjen e procedimit penal. Kryeministri, ministrat, Avokatja e Shtetit dhe Sekretari i Përgjithshëm, bashkë me grupin negociator, akuzohen për “shpërdorim detyre”, pas hetimeve të realizuara më herët me kërkesë të demokratëve, me një grup prokurorësh të specializuar, në bashkëpunim me organe ligjzbatuese apo ekspertë ndërkombëtarë.

Nga analiza e plotë e dokumentacionit të siguruar nga komisioni hetimor rezulton se jemi përpara veprimeve dhe mosveprimeve, në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës dhe se procesi i “negociatave”, “de facto” është shndërruar nga pala shqiptare në proces të dëmtimit me dashje të interesit publik.

Për demokratët është konstatuar gjithashtu se nuk është realizuar një proces ligjor negociimi, por një pazar i qëllimshëm dhe i paligjshëm, që ka dëmtuar rëndë dhe në mënyrë të pakthyeshme interesat e ligjshme të shtetit shqiptar.

Në kallëzimin e zbardhur penal të anëtarëve të grupit parlamentar të PD-së në komisionin hetimor për marrëveshjen midis Shqipërisë dhe “CEZ” theksohet se, falja e të paktën 650-800 milionë eurove dhe dhënia e 95 milionë eurove të tjera shoqerisë “CEZ” është akt antikushtetues dhe antiligjor. Ky kallëzim shoqërohet me 53 prova, që dëshmojnë abuzimin me detyrën të zyrtarëve të lartë.

Prokuroria i ka regjistruar të dy kallëzimet dhe ka kërkuar nga Kuvendi dokumentacionin e komisionit përkatës dhe procesverbalet e pyetjes së dëshmitarëve.

Top Channel