Reshjet e borës janë rikthyer në disa zona të vendit. Në fshatrat e Kukësit, Bulqizës, Peshkopisë dhe në zonat e Malësisë së Madhe, dëbora ka arritur në disa centimetra lartësi.
Në segmentin Kukës-Bushtricë, në fshatin Lusen, si pasojë e motit të keq janë rrezuar gurë.
Reshjet e natës kanë shkaktuar jo pak probleme në bujqësi për bimët dhe pemët që janë në fazën e lulëzimit.
“Pemët janë prishur të gjitha. Dëmi është shumë i madh. Patatet që janë mbjellur ka rrezik të kalben. Duhet punuar toka nga e para. Temperaturat -3 gradë mund të rrezikojnë frutifikimin e pemës”, tha Osman Xhili, specialist bujqësie pranë Drejtorisë së Bujqësisë Dibër.
Dimri është rikthyer edhe në juglindje të vendit. Në orët e para të mëngjesit, reshjet e borës kanë nisur në zonat malore të qarkut. Në fshatrat turistikë të Dardhës dhe Voskopojës ka arritur në disa centimetra trashësi.
Në Elbasan, në lartësinë mbi 1 mijë metra, në fshatrat e Librazhdit ka pasur reshje të pakta dëbore. Dëborë raportohet edhe në zona të Gjirokastrës.
Top Channel