Policia greke ka publikuar sot fotografitë dhe emrat e një bande prej 4 grabitësish shqiptarë, të cilët janë identifikuar nëpërmjet shenjave të gishtave dhe dëshmive të viktimave 9 ditë më parë, e tashmë akuzohen për vjedhje, grabitje me armë në shtëpitë e personave “VIP” në zonat e kryeqytetit grek, por edhe për tentativë vrasjeje.
Një prej 4 personave, Vasillaq Toli, 22 vjeç është arrestuar. Tre të tjerët, të cilët janë shpallur në kërkim, janë Mirel Xhaferri, 27 vjeç, Ndue Brunga, 26 vjeç, si dhe Andi Paturri, 28 vjeç, i cili rezulton i arratisur nga burgu, i shumëkërkuar nga “EUROPOL”-i, ndërsa është verifikuar se ka marrë pjesë në shumicën e grabitjeve me armë.
Publikimi i identitetiteve të tyre bëhet në mënyrë që qytetarët, të cilët bien në kontakt me ta, të njoftojnë policinë pasi konsiderohen të rrezikshëm.
Sipas organeve të Rendit, anëtarët e këtij grupi kriminal akuzohen për 3 tentativa vrasjeje, 9 grabitje me armë, 36 vjedhje, 7 falsifikime, dy grabitje automjetesh, armëmbajtje pa leje etj.
Policia ka gjetur dhe ka konfiskuar stoli të shumta të vjedhura, një automatik, 3 pistoleta, 11.340 euro dhe 1.100 dollarë, si dhe një sasi lëndësh narkotike. Vlera e sendeve të grabitura prej bandës përllogaritet në rreth një milion euro.
Top Channel