Rriten me 22.6 mld lekë eksportet shqiptare

18/04/2017 00:00

Eksportet shqiptare u rritën për të tretin muaj me radhë në ritëm dyshifror, duke konfirmuar situatën pozitive që po kalojnë kompanitë eksportuese.

Të dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë se, në mars, Shqipëria eksportoi 22.6 miliardë lekë mallra në tregjet e huaja, ose 17.2 për qind më shumë sesa marsi i vitit të kaluar.

Rritja është udhëhequr veçanërisht nga sektori i manifakturës dhe ai i materialeve të ndërtimit. Sipas INSTAT-it, eksportet e tekstileve dhe këpucëve u rritën me rreth 13 për qind, ndërsa ato të materialeve të ndërtimit gati u dyfishuan në raport me marsin e vitit 2016.

Të dhënat e marsit konfirmojnë tendencën pozitive të nisur që në fillim të vitit. Në total si tremujor, eksportet këtë vit janë rritur me 15.7 për qind, duke i sjellë ekonomisë mbi 62 milionë euro më shumë sesa tremujori i vitit të kaluar.

Rimëkëmbja e eksporteve vjen pas dy vitesh të vështira. Për shkak të rënies së çmimit të naftës dhe mineraleve, në vitin 2015 eksportet u ulën me 5 për qind, ndërsa një vit më vonë mbetën në stanjacion. Por të dhënat e tremujorit të parë të këtij viti sinjalizojnë se, eksportet mund ta kenë lënë pas krizën dyvjeçare, duke shënuar rritje thuajse në të gjitha grupmallrat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA