Parada “gay”, leje çadrës

18/04/2017 00:00

Aleanca LGBT i është drejtuar me një letër kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ku e njofton se paraditen e 13 majit do të mbahet parada e gjashtë me biçikleta, e njohur me emrin “Tirana Gay Pride”.

Sipas drejtuesve të aleancës, Xheni Karaj dhe Kristi Pinderi, aktivitete të tilla si parada e Tiranës synojnë të japin mesazh lirie, në një moment kur komuniteti LGBT jeton një jetë të ngarkuar me paragjykime dhe përjashtim social.

Aleanca LGBT këtë të martë ka njoftuar edhe Policinë e Shtetit për mbajtjen e këtij tubimi dhe ka njoftuar se parada do të nisë nga Pallati i Kongreseve në mes të bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe do të vijojë përgjatë lumit Lana, ndërsa në kthim do të kalojnë në mes të bllokut e do të ndalen te Presidenca.

Por, arsyeja se përse kjo aleancë i shkruan liderit të opozitës është se ata do të kalojnë në bulevard, aty ku po mbahet një protestë e cila, sipas drejtuesve të aleancës LGBT, mbahet për një kauzë që apelon për liri dhe ata shpresojnë që prania e çadrës së opozitës të mos pengojë mbarëvajtjen e paradës.

Deri më sot, shkruajnë drejtuesit e aleancës, protesta e opozitës ka qenë paqësore, por ata i drejtohen kreut të PD-së, Lulzim Basha me shpresën që militantët dhe aktivistët e partisë së tij të jenë gjithashtu paqësorë gjatë kohës kur anëtarët e komunitetit LGBT dhe pjesëmarrësit në paradë të kalojnë me biçikleta në korsinë e lirë në krahun lindor të çadrës. Xheni Karaj dhe Kristi Pinderi i shkruajnë Bashës se e ftojnë të mbështesë kauzën e tyre për liri dhe dinjitet, ashtu siç bëjnë politikanët në Holandë, vendet vlerat demokratike të të cilit, i thonë ata Bashës, ju i njihni mirë si dhe në të gjitha vendet e tjera të zhvilluara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA