Në Shqipëri, 127 parti politike të majta dhe të djathta. Shumica fiktive

18/04/2017 00:00

A janë fiktive këto parti politike? “Fiks Fare” vëzhgoi fizikisht disa nga selitë e këtyre partive, që kanë qenë në koalicion me mazhorancën dhe opozitën, të përzgjedhura rastësisht. Gazetarët e “Fiksit” vëzhguan disa parti të majta dhe të djathta.

Partia e Reformave Demokratike është në afërsi të “21 Dhjetorit”. Sipas rojes së objektit, kryetari i kësaj partie ka 6 muaj që nuk ka shkuar në zyrë. Ndërkohë, zyrat e Partisë Demokracia Sociale ishin funksionale. Në Partinë e të Drejtave të Mohuara, kryetari e kishte braktisur zyrën. Ndërkohë, edhe Fryma e Re Demokratike kishte një lapsus në adresë, pasi në dokumentet e gjykatës, selia ishte në rrugën “George Ë. Bush” dhe jo në ish-selinë e PD-së.

Në zonën pranë Azilit të Pleqve në Tiranë është regjistruar Partia e Aleancës së Maqedonasve për Integrim Europian. Gazetarët shkuan në pallatin e vetëm shumëkatësh në atë zonë, ku ishte shënuar adresa, por nuk gjetën asnjë gjurmë të saj.

Nga ana tjetër, në rrugën “Qemal Stafa” ishte regjistruar Partia Shqiptare Atdheu. Ekipi i “Fiksit” verifikoi selinë, por në apartamentin ku shënohej adresa e partisë jetonte një çift të rinjsh. Në “Rrugën e Dibrës”, pranë Farmacisë nr. 10, është regjistruar Partia Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve. Banorët e të vetmit pallat shumëkatësh në atë zonë thanë se nuk ka asnjë seli partie.

Këto ishin partitë e regjistruara në koalicionin e majtë.

Ndërkohë, të njëjta problematika kanë edhe partitë e koalicionit të djathtë. Partia Lëvizja e Legalitetit ka zyra, por nuk kishte asnjë person në to. Në rrugën “Mine Peza”, në vilën nr. 4 janë regjistruar dy parti politike: Bashkimi Demokrat Shqiptar dhe Rruga e Vërtetë Shqiptare. E para kishte një zyrë në godinë dhe e dyta nuk ekzistonte. Gazetarët shkuan në rrugën “Irfan Tomini”, në adresën ku është regjistruar Partia Ora e Shqipërisë. Banorët thanë se në këtë zonë nuk ka një pallat me numër 130.

Ndërkohë, në Institutin e të Përndjekurve Politikë janë regjistruar dy parti: Aleanca Popullore për Drejtësi dhe Partia e të Drejtave të Mohuara e Re. E para është në koalicion me të majtën dhe e dyta me të djathtën, pavarësisht se fokusin e kanë tek ish-të përndjekurit. Në afërsi të “21 Dhjetorit” është regjistruar edhe partia Balli Kombëtar. Sipas punonjësve në godinë, këto zyra ishin braktisur.

Top Channel