Gabimet radhazi të arbitrave e zbehën shpejt dhe padrejtësisht shkëlqimin e Luftëtarit në kategorinë Superiore. Humbja e fundit ndaj Flamurtarit, riktheu ethet e rënies, dhe dorëheqja e trajnerit Milinkoviç ka rënduar situatën.
Presidenti i klubit gjirokastrit rikonfirmoi synimin për të tërhequr ekipin nga gara, nëse nuk bind teknikun serb të kthehet në stol.
“E thashë njëherë dhe e them prapë. Nëse nuk bind trajnerin për t’u rikthyer prapë, në një rrugë jemi”, tha presidenti i Luftëtarit, Grigor Tavo.
Padrejtësitë radhazi ndaj ekipit që fitoi me meritë epitetin e Hirueshes së futbollit shqiptar, kanë cënuar renditjen dhe ambiciet për të qenë në kupat europiane.
“Jemi penalizuar në rezultat dhe jo në një gol apo dy gola, ndaj na lind hija e dyshimit për gjithçka”, vijoi më tej presidenti Tavo.
Dorëheqja e trajnerit Milinkoviç dhe drejtorit të klubit, e rëndoi situatën më tej te Luftëtari, që u përball në disa momente të lojës ndaj vlonjatëve, edhe me kritikat e tifozëve.
“Jo u mërzita, po u pikëllova që qanin”, komentoi presidenti i gjirokastritëve, duke iu referuar trajnerit dhe drejtorit të klubit.
Në bazë të përllogaritjeve të trajnerit, gjirokastritëve i duhen edhe 6 pikë për të siguruar qëndrimin. Ndeshja e radhës mund të konsiderohet si një 3-pikësh i sigurtë, ashtu si po ndodh me këdo që përballet me Korabin që ka siguruar rënien nga kategoria.
Top Channel