Zgjaten koncesionet, edhe 15 vite më shumë për vendburimet e bakrit

16/04/2017 00:00

Qeveria ka miratuar një projektligj, i cili zgjat dhe me 15 vite të tjera koncesionin e dytë më të rëndësishëm në industrinë minerare, atë të bakrit.

Drafti amendon marrëveshjen ekzistuese, duke i dhënë kompanisë private “Nesco Metal” të drejtën të shfrytëzojë 3 minierat më të mëdha të bakrit në vend, atë të Munellës, Lak Roshit dhe Karmës deri në vitin 2046. Veç minierave, kompania ka me koncesion edhe fabrikën e pasurimit të bakrit në Fushë-Arrës dhe atë në Mjedë.

Industria e bakrit u dha me koncesion në vitin 2001 nga qeveria e atëhershme tek një kompani turke e quajtur “Ber-Oner”, që më vonë e ndryshoi emrin në “Nesco Metal”. Afati fillestar i koncesionit ishte 30 vjet dhe, sipas marrëveshjes, kompania duhet të investonte 19 milionë dollarë për të rigjallëruar industrinë shqiptare të bakrit.

Sipas qeverisë, kompania private jo vetëm që e ka përmbushur tërësisht planin e investimeve, por e ka tejkaluar atë me tre herë, duke investuar rreth 55 milionë dollarë deri tani dhe duke arritur një kapacitet prodhimi dy herë e gjysmë më të lartë sesa ai që e detyronte marrëveshja koncesionare.

Në këto kushte, Ministria e Energjisë e justifikon shtyrjen e afatit si një masë për të nxitur më tej investimet në këtë sektor. Sipas saj, për shkak edhe të konjukturës së pafavorshme në tregjet ndërkombëtare është vlerësuar se në industrinë e bakrit duhet të investohen edhe 8 milionë dollarë të tjera në 9 vitet e ardhshme.

Këto investime, sipas qeverisë, do të zgjasin jetëgjatësinë e minierave të bakrit, duke sjellë efekte pozitive për ekonominë dhe punësimin.

Zgjatja e afatit për koncesionin e bakrit vjen pak muaj pasi qeveria zgjati me 10 vjet afatin edhe për koncesionin e minierës së kromit në Bulqizë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA