Vaksinat për kafshët, falas. Por nuk po përdoren

14/04/2017 00:00

Sëmundje si dermatoza nodulare, që i detyroi fermerët të asgjësojnë kafshët e gjalla, bruceloza, apo sëmundje të tjera rrezikojnë të përsëriten, nëse vaksinimi i kafshëve nuk kryhet në kohën e duhur.

Kontigjenti i vaksinave është siguruar falas nga Bashkimi Europian, por drejtoritë e Bujqësisë nuk kanë përzgjedhur ende privatët që do të kryejnë shërbimin.

“Vaksinimi duhej të bëhej nga muaji mars deri në fund të muajit prill, pa emigruar bagëtitë në kullotat verore. Por realisht vaksinimi nuk ka filluar dhe, sipas procedurave, duhet të shkojë deri në fund të qershorit që të mbyllen procedurat e tenderimit”, tha Agim Rrapaj, këshilli shqiptar i Agrobiznesit.

Bedri Demo, pronar ferme dhe agronom, na shpjegon se për të dhënë efekt, vaksinimi kërkon disa kushte specifike.

“Temperaturat e përshtatshme janë nën 25 gradë, nga 10 deri në 25 gradë Celsius. Kur rriten temperaturat, vaksina humbet efikasitetin. Çfarë është për t’u bërë, le të bëhet në kohën dhe momentin e duhur”, tha Bedri Demo, fermer.

Drejtori i Shërbimit Veterinar thotë se ligji detyron që përzgjedhja e fituesve të kalojë përmes procedurave të prokurimit publik.

“Kjo kërkon një afat të caktuar dhe e zgjat jashtëzakonisht kohën për të kryer këtë procedurë”, tha Edi Ferro, drejtor i Shërbimit Veterinar.

Por më e keqja është se, edhe kjo procedurë mund të dështojë.

“Ministria e Bujqësisë i ka drejtuar një shkresë ministrit të Financave, ku i kërkon që të përjashtohet nga TVSH-ja puna veterinare, sepse kjo mund të sjellë refuzimin e operatorëve privatë të marrin pjesë në këto procedura, sepse nuk kanë asnjë lloj fitimi. Si pasojë mund të mbeten të pavaksinuara zona të caktuara të Shqipërisë”, tha më tej Edi Ferro.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA