Dëshmitarët okularë në rajonin afgan të Achin-it tregojnë se toka u është lëkundur nën këmbë pas shpërthimit të asaj që njihet si “nëna e të gjitha bombave”.
Ministria e Brendshme afgane sqaroi se janë vrarë me dhjetëra militantë, por nuk është prekur asnjë civil. Këtë e pohojnë edhe banorë të zonës.
Ismail Shinwari, guvernatori i Achin-it, tha: “Bomba u lëshua mbrëmjen e së enjtes mbi pozicionet dhe shpellat që përdor Shteti Islamik. Ishte tmerrësisht e fuqishme, besoj i ka shkatërruar të gjithë tunelet dhe guvat e tyre”.
“Aty ishin bazat e ISIS-it, në të gjithë ato zona militantët kanë pasur aktivitet. Por, bomba e djeshme ishte vërtet gjigande, kur ra ajo këtu u drodh toka. Mund të ketë vrarë nja 70 apo 80 prej tyre. Ishte një lëvizje shumë e mirë sepse ISIS-i duhet eliminuar. Atje nuk ka pasur këmbë civili”, thotë njëri nga banorët.
Kjo ishte hera e parë që ushtria amerikane përdorte bombën e saj më të fortë joatomike në një mision luftarak. Shënjestra ishte sistemi i tuneleve të përdorura nga militantët e Shtetit Islamik. Në të gjithë provincën lindore në kufi me Pakistanin është përhapur krahu afgan i ISIS-it. Përmes degës së vet “Provinc Chorasan”, grupi ekstremist synon vendosjen e kontrollit në Afganistan, Pakistan dhe në pjesë të vendeve fqinje. Atij i përkasin anëtarë të shkëputur nga talebanët pakistanezë e afganë si dhe islamikë nga Uzbekistani.
Bomba e përdorur nga Amerika, e tipit GBU-43/B Massive Ordnance Air Blast, peshon 9 800 kg dhe konsiderohet si trupi më i madh shpërthyes konvencional i ushtrisë së SHBA-së.
Top Channel