Plagët e botës së tronditur nga luftërat, dhuna, emigracioni dhe uria, ishin në qendër të procesionit të njohur si ‘Rruga e Kryqit’, i drejtuar nga Papa Françesku në Koloseo.
Paralajmërimet për sulme terroriste nuk kanë penguar mijëra besimtarë të dilnin nëpër rrugë, me rastin e ‘të Premtes së Zezë’, e cila në besimin e Krishterë përkujton vuajtjet e Jezu Krishtit dhe vdekjen e tij në kryq.
Drejt Koloseos të blinduar nga masat e sigurisë, Kryqi u mbajt nga kardinali Agostino Vallini, një familje romane, persona me aftësi të kufizuara, por edhe nga laikë e fetarë prej vendeve të ndryshme.
Rituali u zhvillua si çdo vit, edhe në qytetin e vjetër të Jeruzalemit, ku të Krishterët Ortodoksë përshkuan me kryqet e drunjtë në duar, rrugën ku besohet të ketë kaluar Krishti para se të kryqëzohej, ‘Via Dolorosa’.
Përgjatë rrugës, janë 14 ndalesat e Kryqit, siç njihen, e destinacioni përfundimtar është Kisha e Varrit të Shenjtë, ku të Krishterët besojnë se u varros Jezu Krishti, para se të ringjallej 3 ditë më vonë.
Në Bensheim, një qytezë në jug-perëndim të Gjermanisë, ‘e Premtja e Zezë’ shënohet çdo vit me një traditë të gjatë emocionale, ku kryqëzimi i Jezu Krishtit rikujtohet përmes interpretimit të aktorëve në rrugë.
Ndërkaq ka rrezikuar të kthehet në tragjedi, procesioni i zhvilluar në qytetin spanjoll të Seviljes, ku 30 persona u plagosën si pasojë e shtypjes nga turma. Mediat lokale thanë se 8 persona u vunë në pranga lidhur me incidentin.
Top Channel