
Opozita është ankuar zyrtarisht kundër një diplomati të Bashkimit Europian, i cili sipas deklaratave të kryetarëve të partive të vogla opozitare, ka tentuar të përçajë opozitën pak ditë më parë, kur ka takuar në Tiranë bashkë me ambasadoren Romana Vlahutin.
Letra dërguar edhe ministres së Jashtme të Bashkimit Europian Federica Mogherini, është firmosur nga të gjithë kryetarët e partive opozitare parlamentare.
Njëri prej tyre, Fatmir Mediu tregoi në çadrën e protestës pjesë nga biseda me shefin e divizionit për Ballkanin perëndimor Eduard Auer.
“Dëgjova një përfaqësues të BE të thotë ‘shumë mirë që PD nuk hyn në zgjedhje, sepse kështu partitë e tjera mund të fitojnë më shumë vende në Parlament’. Jam shumë i lumtur që reagimi ynë ishte një dhe i përbashkët dhe i thamë se ne nuk jemi këtu për pazare, as për karrike deputetësh”, deklaroi Mediu.
Sipas ish-kryeministrit Berisha, misioni i diplomatit europian nuk është një porosi zyrtare e Brukselit.
“Erdhi me misionin që të shkatërrojë opozitën, erdhi të ndërtojë opozitën e emëruar sipas Edi Ramës. Ti erdhe këtu ose si anëtar i klubit 4.700 euro metri katror, ose si anëtar i klubit të kanabisit të Edi Ramës”, tha Berisha.
Njësoj si në letrën e partive opozitare, Berisha i kërkoi Komisionit Europian shkarkimin e tij dhe të çdo përfaqësuesi të korruptuar.
Top Channel