Veliaj inspekton punimet në Shkollën e Baletit: Premtim i mbajtur

10/04/2017 00:00

Kreu i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka inspektuar punimet për rikonstruksionin e Shkollës së Baletit, e cila në shtator, në 60-vjetorin e ndërtimit të saj hap dyert për nxënësit.

Veliaj tha se shkolla të tilla janë një vlerë e shtuar për nxënësit e rinj, sepse më pas, ata si artistë bëhen ambasadorët më të mirë të Shqipërisë në botë. “Jam shumë entuziast për ecurinë e punimeve te Shkolla e Baletit. Kjo shkollë, ashtu si Liceu Artistik, kanë prodhuar ‘ambasadorët’ më të mirë të Shqipërisë në botë, për imazhin e vendit. Besoj se është në nderin tonë që, teksa i afrohemi gjysmës së mandatit në Bashkinë e Tiranës, të paktën shkollat kombëtare t’i sjellim në kushte optimale studimi, ashtu siç bëmë edhe me Liceun”, tha kryebashkiaku.

Veliaj theksoi se 18 qershori është momenti ideal për të marrë vlerësimin e qytetarëve për të gjitha premtimet e mbajtura dhe investimet e realizuara në të gjitha njësitë administrative të kryeqytetit.

“Edhe në datën 18 qershor do të na duhet që të mbështesim Shqipërinë e punës dhe të progresit, të tregojmë se oferta jonë është për më shumë punë, progres dhe më shumë investime. Ne në Tiranë kemi se çfarë të tregojmë në datën 18 qershor, kemi të gjithë të drejtën t’i shohim njerëzit në sy për premtimet e mbajtura, jo vetëm këtu në njësinë 2, por në të gjithë territorin e Tiranës. Është një moment ideal, që edhe ne të marrim një notë vlerësimi, nëse këto politika progresive të qeverisë dhe Bashkisë janë mënyra se si ecim përpara”, u shpreh Veliaj.

Deri më tani, në Shkollën e Baletit ka përfunduar puna për hidroizolimin e tarracës dhe mbulimin me panel, rikonstruksioni i fasadës me sistem kapotë, veshja me kompozit, suvatimet dhe vendosja e dritareve të reja. Parketi i vjetër i sallës së baletit, i cili ishte dëmtuar rëndë si pasojë e reshjeve të shiut që futej brenda, është zëvendësuar me një parket të ri, ndërsa janë në proces instalimet elektrike, sistemi i ngrohjes dhe ftohjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA