Vritet ish-zyrtari i Policisë; shkak dyshohet detyra

08/04/2017 00:00

Një ish-zyrtar i Policisë së Shtetit është qëlluar për vdekje me armë zjarri në zonën e Liqenit Artificial në Tiranë.

Ngjarja ndodhi pak minuta pas orës 20 të mbrëmjes së të shtunës , në rrugën e ‘Kosovarëve ‘ në kryeqytet.

Autorët mesa duket kanë qenë në dijeni të lëvizjeve të viktimës, dhe e kanë ndjekur këtë të fundit, për ta ekzekutuar teksa merrte ashensorin për tu ngjitur në katin e 3-të të pallatit ku jetonte.

Autorët dyshohet te kenë qenë të maskuar ndërsa mësohet se nuk kanë përdorur silenciator pasi të shtënat kanë alarmuar banorët e zonës.

Sipas policisë pista kryesore mbetet ajo për shkak të detyrave dhe konflikteve që Artan Cuku ka mbajtur dhe është përfshirë në kohën kur ka shërbyer në radhët e policisë.

Por kush është Artan Cuku? 42-vjeçari, baba i dy fëmijëve ishte një oficer karriere, deri në vitin 2013 kur u lirua nga policia. Cuku ka shërbyer si shef krimesh në Shkodër dhe Fier për t’u emëruar zv.drejtor i Policisë së Tiranës, në periudhën 2009-2011.

Më pas ai u transferua Drejtor i Policisë se Vlorës deri në vitin 2013, vit kur edhe u shkëput nga uniformat blu.

Pas kësaj periudhe 42-vjeçari kishte hapur një biznes në fushën e sigurisë private, por sipas policisë ai asnjëherë nuk ka denoncuar se ndihej i rrezikuar dhe një informacion të tillë nuk e zotëronin as uniformat blu.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel