
Një sasi rekord kanabisi u sekuestrua nga policia pasditen e së shtunës. Në një magazinë në fshatin Pagri të rrethit të Përmetit, uniformat blu gjetën mbi 10 ton lëndë narkotike, e cila ishte gati për trafikim.
Magazina e kthyer në një hambar droge, ku u gjet sasia rekord e hashashit, ndodhet në një zonë të thellë me terren të thyer, ndërsa policia në bashkëpunim me Prokurorinë ka nisur punën për identifikimin e poseduesve.
Në operacionin e zbulimit të sasisë rekord të kanabisit është përfshirë edhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave, ndërsa droga ishte paketuar dhe e ndarë në rreth 200 thasë.
Sipas burimeve policore, kjo magazinë është kontrolluar rreth një muaj më parë dhe ka rezultuar bosh, çka do të thotë se droga është zhvendosur në këtë ambient kohët e fundit.
Ende nuk dihet nëse magazina është pronë private apo shtetërore.
Top Channel