Hashash “shqiptar” vetëm 50 metra larg “Buckingham Palace”

06/04/2017 00:00

Që shqiptarët kultivojnë kanabisin nëpër qytetet angleze, kjo nuk është më habi. Por ajo që habit me lajmin e fundit të shqiptarëve të kapur, që e kultivojnë atë, është adresa se ku kanë vepruar.

Më e pazakonta dhe më e çuditshmja e mundshme: vetëm 50 metra larg Pallatit të Mbretëreshës, “Buckingham Palace”, e cila është rezidenca e monarkes në Londër.

Jetmir Myrtaj, 29 vjeç, e ka pranuar fajësinë në gjykatë për kultivimin e kanabisit në “Belgravia”, një adresë disa dhjetëra metra larg mureve rrethues të Pallatit Mbretëror. Bashkë me të u dënuan me 6 muaj burg edhe dy bashkëpunëtorë të tij, të cilët pritet të deportohen të gjithë në Shqipëri, pas mbarimit të dënimit.

Gjykatësja Joana Korner tha në proces se, treshja shqiptare ishin kultivuesit e drogës.

Janë të shumta rastet, kur policia britanike kap shqiptarë që gjenden nëpër ambiente të mbyllura, si banesa dhe magazina të konvertuara në ferma kanabisi. Pjesa më e madhe e të kapurve janë punëtorë krahu të paguar për t’u kujdesur për bimet në ambiente me ngrohje dhe ndriçim artificial, kryesisht shqiptarë të ardhur kohët e fundit dhe pa dokumente të rregullta qëndrimi në Britani.

Top Channel