
Policia dyshon se grabitja e radhës e një firme private në Fushë-Prezë është vepër e të njëjtit grup që është përgjegjës edhe për disa grabitje të tjera të pazbardhura, që kanë kanë ndodhur përgjatë bizneseve në aksin Tiranë- Vorë.
Autorët sulmojnë në grup, të armatosur me kallashnikovë dhe kanë detyra të përcaktuara. Edhe në këtë rast, dy prej tyre kanë neutralizuar rojet private nën kërcënimin e armëve, ndërsa dy të tjerë kanë kontrolluar zyrat e firmës.
Autorët kanë menduar se nga kjo punë do të përfitonin shuma të mëdha parash, por prej godinës së firmës dolën me vetëm 70 mijë lek.
Grabitja ndodhi pak minuta pas orës 4 të mëngjesit të së enjtes, ndërsa makina e autorëve është fiksuar nga kamerat e sigurisë.
Uniformat blu janë njoftuar nga salla operative e policisë private që siguron objektin, por kur mbërritën në vendngjarje, autorët ishin larguar duke përfituar edhe nga rrugët e shumta dytësore që lidhen me disa fshatra në këtë zonë.
Policia po kontrollon edhe kamerat e sigurisë së bizneseve të tjera, për të bërë të mundur identifikimin e autorëve, të cilët janë kthyer në tmerrin e firmave që ushtrojnë aktivitetin në këtë zonë.
Top Channel