PD bojkoton edhe bashkinë, PS-LSI-PDIU votuan projektet e Veliajt

05/04/2017 00:00

Opozita nisi bojkotin edhe në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Por puna ka vijuar me miratimin e vendimeve të paraqitura nga kryebashkiaku Veliaj me votat e këshilltarëve socialistë, të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe PDIU-së.

Mungesën e këshilltarëve të djathtë, kryetari Veliaj nuk e la pa komentuar.

“Besoj se si kurrë më parë, gjatë kësaj kohe është bërë e qartë se në këtë qytet ka dy palë, njëra që punon dhe tjetra që ka zgjedhur të merret me fjalë. Por në fund janë qytetarët ata që bëjnë dallimin dhe nuk kam asnjë lloj dyshimi se këtë dallim do ta bëjnë nisur nga punët e jo nga fjalët”, tha Veliaj.

Kur foli për ndërtimin e 21 shkollave të reja në kryeqyet, 4 prej të cilave kanë nisur, Veliaj përmendi sërish çadrën.

“Në fakt, para se të ishte një zotim i yni, ky ishte një zotim i parardhësit tim, por të gjithë e dinë si vajti halli jo vetëm këtij zotimi por dhe shumë premtimeve të tjera nga ata që sot drejtojnë çadrën. Problemi është se mbajtja e zotimeve bëhet e pamundur kur ja fut gjumit për 4 vjet apo merresh vetëm me fjalë. Për të zgjidhur hallet e qytetarëve duhet shumë punë, por vetëm për punë çadrën nuk e kemi”, tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë kërkoi në Këshillin Bashkiak që të ndërtohet një thertore në varësi të Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit, pasi sipas tij, mishi që tregtohet në Tiranë therret në kushte të papërshtatshme higjenosanitare.

“Nuk dua të përhap panik, por 70 për qind e mishit që tregtohet sot në Tiranë ka një origjinë krejtësisht të panjohur. Nuk dihet as ku therret e as në ç’kushte therret, ndaj na duhet që veterinerët tanë të kthehen në policë mishi për t’i rënë mbrapa çdokujt që shet mish të pacertifikuar”, shtoi Veliaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA