Kafe me gjyshin, të moshuarit që përfitojnë nga nisma e bashkisë

05/04/2017 00:00

Margarita humbi shokun e jetës 3 vite më parë, por jeta e saj, ndonëse ndryshe vazhdon tanimë mes miqsh të vjetër dhe të rinj.

Një kafe mëngjesi me vlerë nën kosto falë Bashkisë së Tiranës dhe kujtime për vitet e punës në Kinostudion “Shqipëria e Re” dikur janë çfarë 79-vjeçarja ndan me miqtë çdo ditë.

“Që 16 vjeç kam hyrë në Kinostudio, nga ‘61 në ’93 kam punuar me negativët e të gjithë filmave që kanë dalë”, tregon Margarita Hanxhari.

Gjysh Kujtimi ka një histori tjetër. I është dashur të punojë çfarëdolloj pune për të siguruar bukën e gojës, në kushtet e një ekonomie të dobët në familje.

Madje, 12 vite emigroi drejt Amerikës, nga ku për fat të keq u rikthye sërish për tja nisur nga fillimi. Por, ai është gazmor, optimist dhe plot shpresë dhe ide për jetën.

“Që kur kam hyrë në shoqatë nuk e pi kafen e mëngjesit në shtëpi dhe atë 500 lekësh e fut në kuti. Pastaj blej lule, më japin një kënaqësi shumë të madhe”, tregon Kujtim Zejnati, 73 vjeç.

Asnjë histori nuk i ngjan tjetrës. Për shembull gjysh Emini ka gjithçka, por jo fëmijët, të cilët jetën e tyre e kanë ndërtuar larg Shqipërisë.

“Është e vështirë të jetosh pa fëmijën. Ta rrisësh, ta shkollosh, të investosh për të dhe të shkojë jashtë nuk është mirë. E mira është të jenë këtu. Dashuria është kryesore”, thotë Emin Keli, 74 vjeç.

Nisma e Bashkisë së Tiranës, një kafe me gjyshin ka bërë bashkë shumë gjyshe e gjyshër, që në pamundësi për të pirë kafen jashtë, mbylleshin në shtëpi. Sot ata mezi presin të nesërmen dhe kafen e mëngjesit me shokët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA