Ekstradime në Britani, Vasili dhe Wallace nënshkruajnë marrëveshjen

05/04/2017 00:00

Çdo shtetas shqiptar që kryen krime në Britaninë e Madhe dhe i shmanget drejtësisë duke u fshehur në Shqipëri, do të esktradohet në Angli dhe Irlandën e Veriut, pa llogaritur më parimin e shtetësisë së personit të kërkuar. 

Megjithëse gjykatat shqiptare nuk kanë patur nën shqyrtim raste të shqiptarëve që drejtësia angleze i kërkonte, tashmë ato nuk mund të rrëzojnë kërkesa të tilla duke iu referuar një pike të Konventës Evropiane për Ekstradimin, që i linte fuqi për mbrojtjen e shtetasve të vet. Marrëveshja u nënshkrua mes dy ministrave, duke shënuar në këtë mënyrë marrëveshjen e katërt, pas atyre të firmosura me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italisë dhe Kosovës. 

Në marrëveshje, palët bien dakord që të mos zbatohet neni 6 i Konventës Evropiane të Ekstradimit, që i jep të drejtë autoriteteve përgjegjëse të refuzojnë ekstradimin e personit të kërkuar për shkak të shtetësisë. Marrëveshja që u firmos mes ministrit të Drejtësisë, Petrit Vasili dhe ministrit të Shtetit për Sigurinë në Britaninë e Madhe, Ben Wallace, hyn në fuqi pas ratifikimit dhe do të ketë efekt për çdo shtetas shqiptar dhe anglez që do të kërkohet pas kësaj date.

Ky kusht parashikohet në atë çka u firmos dhe ku thuhet se kjo marrëveshje nuk zbatohet për kërkesat për ekstradim të marra para datës në të cilën ajo hyn në fuqi. Në mbyllje të takimit, ministri Vasili ka deklaruar se konfirmimi i një dokumenti të tillë do të mundësojë intensifikimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe vënien para drejtësisë të të kërkuarve prej vitesh, të cilët nuk mund të ekstradoheshin për shkak të barrierave ligjore.

Marrëveshja e ekstradimit u konsiderua edhe nga ministri i Shtetit për Sigurinë, Ben Wallace, si një dëshmi e rritjes së bashkëpunimit me Shqipërinë në luftën kundër krimit të organizuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB