
Ishin kthyer në tmerrin e qyterarëve të cilët i grabisnin me dhunë në rrugët e kryeqytetit, por aventura 2-javore e bandës së të rinjve përfundoi pasditen e së dielës.
“Gracka” ishte koduar operacioni i finalizuar nga forcat e komisariatit numër 6 dhe ato operacionale. 4 djem të rinj, të moshave nga 17 deri 26 vjeç u vunë në pranga, ndërsa në kërkim u shpall edhe një femër që kishte një rol kyç në realizimin e grabitjeve.
Kjo e fundit ndalonte qytetarët ne rrugë duke u kërkuar celularin për të berë një telefonatë, ndërsa më pas bashkëpuntorët e saj të arrestuar ushtronin dhunë fizike ndaj të dëmtuarve duke i marrë sendet me vlerë si telefon, varëse, ora dhe vlerat monetare.
Gjatë realizimit të paktën të 7 grabitjeve vetëm gjatë muajit mars, të rinjtë kishin role të përcaktuara në grup dhe më pas largoheshin me një automjet të tipit “Fiat”, të marrë me qira.
Disa prej sendeve të cilat i përkasin qytetarëve të dëmtuar u gjetën të groposura në një shtëpi të braktisur në Kamëz.
Policia sekustroi 7 telefona, disa kuleta, varëse dhe xhupa ndërsa zonat ku realizoheshin grabitjen, ishin unazare e re, pranë mbikalimit të kamzës si dhe pranë bizneseve në rrugën dytësore Tiranë-durrës.
Top Channel