Tronditëse në Itali, kryebashkiaku vihet nën hetim për dhunë ndaj gruas së tij
Forcat e sigurisë në Kolumbi kanë nisur kërkimet për qindra persona të zhdukur, pas rrëshqitjeve masive të dherave që lanë të paktën 254 të vdekur. Rreth 1.100 ushtarë dhe policë janë përfshirë në përpjekjet e kërkim-shpëtimit.
Reshjet e dendura të shiut përmbytën me baltë e gurë qytetin e Mocoas në jugperëndim të vendit, duke “varrosur” thuajse të gjithë periferinë, ndërsa rezidentë të tjerë arritën t’i shpëtonin duke u larguar nga shtëpitë.
Një deklaratë e ushtrisë njoftonte se janë të paktën 400 të plagosurit, ndërsa 200 persona rezultojnë të zhdukur në kryeqytetin e provincës Putumayo.
Vullnetarë të Kryqit të Kuq kolumbian të pranishëm në zonë konfirmojnë se numri i viktimave është mbi 200. Grupi i ndihmave po punon për të ndihmuar pjesëtarët e familjeve të kontaktojnë me të afërm të tyre, ndërsa operacionet vazhduan edhe përgjatë natës.
Pamje filmike të publikuara nga qyteti tregojnë rezidentë të shumtë duke qarë përpara një liste me emrat dhe moshat e fëmijëve të zhdukur, e shpallur në një qendër për mirëqenien familjare.
Presidenti Juan Manuel Santos shpalli gjendjen e emergjencës në rajon dhe shkoi menjëherë në vendngjarje për të mbikëqyrur përpjekjet për shpëtimin e sa më shumë njerëzve që është e mundur. “Do të bëjmë gjithçka të mundshme për të ndihmuar. Kjo ngjarja më ka copëtuar zemrën”.
Forcat Ajrore kolumbiane janë duke ofruar pajisje, ujë dhe ilaçe në zonën e prekur. Ndërkohë që disa pacientë edhe janë evakuuar përmes ajrit.
Top Channel