Adopto fëmijën autik në distancë

02/04/2017 00:00

Nuk ka ende një shifër zyrtare, por mendohet se në Shqipëri janë mbi 10 mijë persona autikë. Një terapi intensive që kushton të paktën 30 mijë lekë të reja në muaj, 1 orë në ditë, por kjo ndryshon në varësi të qendrës dhe jo çdo familje mund të përballojë. Ndaj, një qendër që trajton fëmijët autikë vjen me një nismë në ditën ndërkombëtare të ndërgjegjësimit për këtë çrregullim.

“Nisma ka të bëjë me adoptimin një fëmijë në distancë. Personat që kanë mundësi financiare dhe munden t;i bashkohen nismës dhe të bëjnë financimin e fëmijëve”, shprehet Anisa Dizdari, drejtoreshë Ekzekutive, Qendra TISS.

Ky është rasti i Sonilës, nënës së Sidritit, i diagnostikuar me autizëm në moshën 22-muajshe, e cila në pamundësi për të paguar terapinë për djalin e saj përfiton atë falas.

“Unë dhe shumë prindër të tjerë nuk e përballojmë dot terapinë. Falenderoj një zonjë që ma mundëson këtë çdo muaj”, thotë Sonila Meçe.

Nëna e 2 fëmijëve thotë se e sfidën më të vështirë e ka kaluar, e ka pranuar autizmin, për këtë ka edhe një thirrje për prindërit.

“Kam një mesazh për prindërit. I them që të mos dorëzohen asnjëherë se një ditë do të bëhen si të tjerët”, thotë Meçe.

Me rastin e kësaj dite, në liqenin e Tiranës u organizua edhe një maratonë vrapi, ku prindër dhe qytetarë iu bashkuan thirrjes vullnetare për të folur, për të bërë dhe për të dhënë më shumë për autizmin.

“Ky është një problem i të gjithë shoqërisë shqiptare dhe shteti duhet të ndajë një pjesë të buxhetit për terapi për këta fëmijë”, thotë Arbër Kadia Iniciator i Run4Autism.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA