Dënohet “hacker”-ja e ushtrisë shqiptare

31/03/2017 00:00

Shefja e Sektorit të Mbrojtjes Kibernetike në Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, AISM, në Ministrinë e Mbrojtjes, ka ndërhyrë piratisht në kompjuterin e drejtorit të kësaj agjencie duke kopjuar gjithçka që ai kishte në kompjuter.

Ky veprim, përveçse alarmoi drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes, pasi ishin thyer masat e sigurisë kibernetike në agjencinë që duhej të garantonte të dhënat kibernetike të Ministrisë së Mbrojtjes, që është edhe pjesë e NATO-s, ka sjellë edhe dënimin e “hacker”-es Elfrida Bardhanjori me 18 muaj në shërbim prove.

Kjo e fundit, duke qenë shefe e sektorit të mbrojtjes kibernetike, ka shfrytëzuar serverin e agjencisë për t’u futur ilegalisht dhe kopjuar të gjitha të dhënat në kompjuterin e drejtorit të AISM në Ministrinë e Mbrojtjes.

“Kam marrë të gjithë informacionin që ndodhej në kompjuterin e drejtorit të Përgjithshëm, me qëllimin për t’i bërë kopje të gjithë informacionit që ky drejtor dispononte, meqenëse për të kishte dalë urdhri i largimit nga detyra”, ka thënë Bardhanjori.

Pasi ndërhyrja kompjuterike është zbuluar, e pandehura Bardhanjori ka fshirë të gjithë informacionin e kopjuar, si dhe “logfilet” nga kompjuteri i saj. Nga ekspertiza kompjuterike e kryer për këtë rast, ekspertët nuk kanë mundur dot të përcaktojnë se çfarë materialesh janë kopjuar nga kompjuteri i drejtorit të Agjencisë se Inteligjencës dhe Sigurisë.

Ndërsa gjykimi i shkurtuar nuk lejon deklarimet e së pandehurës në gjykim, pasi procedohet drejtpërdrejt me konkluzionet përfundimtare. Nga ana tjetër, burime nga Ministria e Mbrojtjes kanë deklaruar për Top Channel se, nga rasti në fjalë nuk janë kopjuar apo shpërndarë materiale me karakter sekret, as të ushtrisë shqiptare dhe as të NATO-s, ndërsa nuk kanë specifikuar natyrën e informacioneve që janë kopjuar në mënyrë të kundërligjshme.

Top Channel