Xhaçka fton qytetarët në Panairin e Punës

30/03/2017 00:00

Ministrja e Mirëqenies Sociale, Olta Xhaçka fton qytetarët të shfrytëzojnë Ditët e Panairit të Punës për të vizituar stendat, që këtë vit kanë ofertë më të diversifikuar se një vit më parë, por edhe për të njohur më mirë nevojën e tregut për punësim.

“Punësimi është një çështje shumë e debatuar sot ne rëndom dëgjojmë që nuk ka profesionistë dhe kjo është një nga ato gjërat që ankohen edhe vetë bizneset por oferta në këtë panair është shumë e diversifikuar, jam e bindur që ka mundësi për të gjithë dhe e theksoj falë kualifikimeve të marra në shkollat tona profesionale kjo përputhje mes kërkesës dhe ofertës do të jetë gjithnjë edhe më e mirë”, tha ajo.

Këtë vit në panair marrin pjesë rreth 80 kompani që kanë deklaruar rreth 5000 vende të lira pune e që presin aplikime apo kryejnë intervista në tre ditët e panairit.

Sektorët në të cilët operojnë janë nga transporti, ndërtimi tek sistemi bankar, telekomunikacioni apo investitorë strategjikë. Por sa e sukseshme është realisht kjo eksperiencë për punëmarrësit dhe punëdhënësit?

“Vitin e kaluar pati rreth 1000 të punësuar në tre ditët e panairit dhe 6000 intervista që vazhduan pas përfundimit të tij. Ne kemi një raport gjithnjë e më të mirë të zyrave të punësimit me bizneset, do të bëjmë cmos që të  ndjekim edhe ato intervista pune që vazhdojnë pas ditëve të panairit për të patur një informacion sa më të saktë se  sa e mirë ka qenë kjo përputhje mes kërkesës që kanë qytetarët dhe ofertës së bizneseve”, tha ministrja.

Për t’u shërbyer informacioneve dhe të dhënave sa më specifike në lidhje me tregun e punës, INSTAT nënshkroi një marrëveshje me Shërbimin Kombëtar të Punësimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA