
Një shtetas 48-vjeçar, me banim në Sauk, është proceduar penalisht sepse nuk i është bindur urdhrit për ndalim, madje ka kanosur në detyrë një efektiv të Policisë Rrugore.
Punonjësi i Qarkullimit Rrugor, A.V., kishte dorëzuar një kallëzim penal ndaj shtetasit M.M. në Komisariatin Nr.1 të kryeqytetit, pasi ky i fundit nuk kishte pranuar të dorëzonte dokumentacionin e automjetit, siguracionin dhe kontrollin teknik, gjatë një kontrolli rutinë në përputhje me procedurat të Policisë Rrugore.
Shtetasi i proceduar, nga sa thuhet në njoftimin e policisë, kishte nxjerrë telefonin dhe filmoi duke ofenduar personalisht punonjësin e policisë, por edhe shefin e Qarkullimit Rrugor. Efektivi i Rrugores ka zbatuar procedurën dhe i ka dhënë drejtuesit të mjetit një kopje të procesverbalit, e më pas e ka lënë të largohet.
I proceduari do të hetohet nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, për veprat penale të “mosbindjes ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, si dhe “kanosjes për shkak të detyrës”.
Top Channel