Veliaj përuron këndet sportive tek shkolla “Vasil Shanto”

28/03/2017 00:00

Bashkia e Tiranës ka shtuar dy ambjente të reja sportive në shkollën “Vasil Shanto”, me 1.300 nxënës. Kryetari Erion Veliaj përuroi fushat e reja të futbollit dhe të tenisit për nxënësit dhe i falenderoi ata që kontribuan për shtimin e këtyre ambienteve në kryeqytet.

Por ky nuk do të jetë investimi i vetëm i bashkisë, pasi shumë shpejt do të fillojë edhe rikonstruksioni i plotë i shkollës.

“Ky është këndi i 12 sportiv që hapet brenda një viti në shkollat e Tiranës, apo në hapësirat rekreative të qytetit. Do të kalojmë më shumë kohë me sport dhe aktivitet fizik, më pak kohë nëpër kafe, nëpër bingo e baste. Megjithatë, dua që t’i ftoj të gjithë qytetarët, që kush ka mundësi të kontribuojë”, tha Veliaj.

Duke e cilësuar marsin një muaj shumë pozitiv për realizimin e punëve publike, Veliaj theksoi se është e rëndësishme që t’i kushtohet më shumë vëmendje përmirësimit të mjediseve në shërbim të komunitetit.

“Këtë muaj kemi mbjellë me mijëra pemë, duke filluar nga Liqeni i Farkës, te Liqeni Artificial, te Bulevardi i Ri, te sheshi “Skënderbej”. Nëse kalojmë më shumë kohë me gjëra konkrete për fëmijët, siç janë këndet e lodrave, këndet sportive apo mbjelljet e gjelbërimet, dhe më pak kohë me fjalë, me sherre e përçarje, qyteti ecën përpara. Jam i bindur se të gjitha investimet në infrastrukturë nuk vlejnë asgjë në qoftë se nuk kemi kulturë dhe besoj se ky investim është më i rëndësishëm, ndoshta edhe se infrastruktura, sepse krijon një kulturë te djemtë dhe vajzat e qytetit si të luajnë në ekip, si të mësojnë të fitojnë, por edhe të humbasin”, tha Veliaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA