Gati 6 javë pas grabitjes spektakolare të 3.2 milionë eurove në Qafë-Kashar, Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen ndaj 6 policëve privatë, që shoqëronin paratë e një banke të nivelit të dytë në drejtim të Rinasit.
Mbi ta tashmë rëndon akuza e “Shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim. Më konkretisht, nga dosja e prokurorisë, dilet në përfundimin se Fatmir Gapi, Xhelil Metaj, Dashamir Balla, Përparim Logu, Endrit Daci dhe Gentian Dedja nuk kanë kryer detyrat e tyre, duke lejuar agresorët të marrin shumën prej 3.2 milionë euro dhe të largohen.
Prokuroria e Tiranës ka gjetur një sërë shkeljesh nga ana e të pandehurve, duke nisur që nga fakti se çanta me GPS nuk është futur midis parave të tjera, ajo është mbajtur veç në kabinën e mjetit dhe nuk është vënë në punë. Kjo për organin e akuzës, është kryer me dashje.
Kompania ndër të tjera nuk është lidhur me sallën operative për ngjarjen e ndodhur, instruktazhi i punonjësve të kompanisë së sigurimit që kanë transportuar para mungonte në këtë rast, makinat nuk kanë qenë të blinduara dhe plumbat kanë depërtuar.
Por, edhe 2 kamerat e sigurisë së automjeteve të blinduara, vijon më tej Prokuroria e Tiranës, janë fikur pa asnjë shkak.
Kjo është dosja e parë e përfunduar dhe e dërguar për gjykim nga organi i akuzës, ndërsa vijojnë ende hetimet për 6 personat e arrestuar nga policia, të cilët dyshohet se janë autorët dhe ideatorët e grabitjes së 9 shkurtit.
Por, veç përfundimit të hetimeve për 6 të arrestuarit, është duke vijuar ende puna për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në atë grabitje.
Top Channel