Gongu i vettingut! Tek Totozani rikthehen 64 aplikantë

25/03/2017 00:00

Ndërsa kanë mbetur pak orë nga afati i fundit janë vetëm 64 nga 164 aplikantë për organet e vettingut që janë rikthyer në zyrat e Avokatit të Popullit për të plotësuar dokumentet në dosjet që nga e hëna do të jenë nën monitorimin ndërkombëtar.

Edhe 100 kandidatët që nuk janë paraqitur deri tani janë kontaktuar nga ekipi i Totozanit, ndërsa duket se situata politike ka sjellë këtë rënie të interesit në një kohë kur të 27 të zgjedhurit në fund të procesit nga Parlamenti do të kenë shumë privilegje.

“Avokati i Popullit është në punë edhe të shtunë e të dielë, deri në 8 e gjysmë të darkës, për të pritur këta aplikantë, ndërkohë që afati i fundit është ditën e hënë”, deklaron Juliana Cici, ndihmës komisionere pranë AP.

Janë 27 njerëzit e vettingut që do të kryejnë rivlerësimin e plotë të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë. Pas verifikimit njëjavor të aplikantëve nga Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit, pas dhënies së rekomandimeve drejtuar Parlamentit do të hyjnë në veprim struktura të tjera verifikimi dhe filtrimi, që duhet të ngrihen nga Parlamenti si Komisioni “ad hoc” i verifikimit me 6 deputetë dhe 12 deputetë në komisionin e vlerësimit.

“Avokati i Popullit, sikundër në fazën e parë, në bashkëpunim të pandërprerë me ONM, do të verifikojë riplotësimin e dokumentacionit nga secili kandidat. Ka një afat 7-ditor për pranimin dhe riverifikimin e këtyre aplikimeve dhe pastaj do t’ia përcjellë Kuvendit të Shqipërisë”, saktëson Cici.

Komsionet e vettingut janë baza e gjithë reformës në drejtësi. Pa miratimin e tyre nuk fillon punë asnjë institucion tjetër që krijohet rishtaz me reformën e në fjalë. Ky proces rezulton i bllokuar pasi opozita prej një muaji ka bojkotuar punimet e Parlamentit.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta