Incidentet e ndërrimit të viteve/ Lëndohen 20 persona nga hedhja e fishekzjarrëve, 13-vjeçarja në kryeqytet shpëton mrekullisht nga plumbi qorr
Dy trupa të pajetë janë gjetur këtë të shtunë, njëri prej të cilëve në ujërat e lumit Shkumbin dhe tjetri në ato të detit Adriatik.
Gjatë orëve të pasdites, në brigjet e Shkumbinit në fshatin Çërmet të Rrogozhinës është gjetur trupi i një vajze.
Zbulimi ndodhi rreth orës 15:40 dhe nga kontrollet e policisë viktima është identifikuar me inicialet M.M, e moshës 15-vjeçare.
Agjentë të policisë e dërguan trupin e saj në morg, ku pritet që ekspertiza mjeko-ligjore të hedhë dritë mbi rrethanat e vdekjes.
Më herët gjatë ditës, rreth orës 13.00, peshkatarët e anijes së “Klajdi 2” gjetën në ujë trupin e pajetë të një burri. Ai u konstatua në kepin e Selitës, në një zonë detare me thellësi 78 metra, rreth 5 milje nga bregu i plazhit të Gjeneralit.
Me t’u njoftuar për praninë e kufomës, drejt vendit u nisën forcat e kufirit, të cilat bënë tërheqjen e trupit dhe dërgimin e tij në morg.
Me këto raste shkon në 3 numri i të mbyturve të gjetur në ujërat e vendit. Një ditë më parë trupi i pajetë i një personi, që dyshohet të jetë skafist droge, u gjet nga policia e Vlorës pranë ishullit të Sazanit.
Top Channel