Vettel dhe Raikkonen: Shpejt për të gjykuar

24/03/2017 00:00

Botërori i Formulës 1 nisi me provat e lira të Çmimit të Madh të Australisë, aty ku dominoi Lewis Hamilton me makinën Mercedes. Ferrari duket të jetë makina e dytë më e shpejtë, por Vettel dhe Raikkonen qëndrojnë me këmbë në tokë.

Gjermani thotë se pret fundjavën për të parë realisht se në çfarë pike është dueli me Mercedesin.

“Nuk shikoj vetëm kohën që arrita. Nuk jam i kënaqur me balancën e makinës. Është shpejt për tu krahasuar me hapin e garës së Mercedesit. Jemi realistë dhe do të presim për të parë situatën kur të gjithë të kenë shfaqur potencialin e tyre”, tha Vettel.

Njësoj e mendon edhe Kimi Raikkonen, i cili mendon se është e vështirë të bëhen krahasime.

“Kemi punuar shumë dhe e dimë se ku duhet të përmirësohemi të shtunën. Nuk mund të them nëse rregullat e reja do të sjellin një betejë më të fortë në pistë, por mbase këtë do e mësojmë pas provave zyrtare”, deklaroi finlandezi.

Top Channel