“Free Time”, ose e thënë në shqip “kohë e lirë”, ishte koduar operacioni i Policisë së Tiranës për goditjen e një grupi të shfrytëzimit të prostitucionit në kryeqytet.
Policia publikoi pamjet e operacionit të zhvilluar në një hotel në periferi të Tiranës, në zonën e Liqenit të Thatë, ku një 27-vjeçare u kap në një dhomë së bashku me 3 klientët e saj.
Në pranga u vunë edhe ndërmjetësuesit e aktivitetit të paligjshëm, 26-vjeçarja Maria Thanas dhe 2 shtetas të tjerë.
Vajza e shrytëzuar është proceduar në gjendje të lirë, ndërsa 3 persona të tjerë janë shpallur në kërkim nga policia e Tiranës. Nga hetimet është dokumentuar se në kohë dhe vende të ndryshme këta persona kanë shfrytëzuar, ndërmjetësuar dhe marrë pagesa për prostitucion në vlerat që varionin nga 50 deri 100 euro.
Klientët kryesisht ishin biznesmenë, por edhe shtetas të huaj. Gjatë operacionit, policia gjeti edhe disa doza kokainë dhe sende për përdorim narkotikësh, ndërkohë që sekuestroi edhe një automjet dhe disa telefona celularë.
Ky është rasti i dytë brenda një periudhe të shkurtër kohore që Policia e Tiranës godet një tjetër rrjet të shfrytëzimit të prostitucionit. Pak javë më parë, 11 persona të tjerë u arrestuan në kuadër të operacionit “Free Taxi”.
Top Channel