Mes shtëpisë dhe spitalit

19/03/2017 00:00

Ai është vetëm 23 vjeç, po ndryshe nga shumë moshatarë e kalon jetën mes mureve të shtëpisë së tij, në Gosë të Kavajës, dhe repartit të dializës në një spital të Durrësit.

Kur ishte ende fëmijë, Miglen Shehi diagnostikohet me një sëmundje kronike veshkash. Që nga ai moment, do të niste kalvari i vuajtjeve të tij nëpër spitale. Pavarësisht  trajtimeve, sëmundja rëndohet, duke i nxjerrë jashtë funksionit veshkat. Në kulmin e moshës rinore ndjehet i pafuqishëm dhe i paaftë për të punuar e ndihmuar familjen. Ecejaket në spitale i kanë cënuar edhe të drejtën për shkollim, pasi ka mundur të kryejë vetëm 6 klasë.

“Kur isha 10 vjeç më nxorën një gur të madh. Ndenja 3 muaj në spital. Tani më duhet një transplant, por nuk po e gjej mënyrën për të ikur jashtë shtetit, kam ngelur këtu“, thotë Migleni.

E motra tregon vështirësitë dhe shpresën për ta parë të vëllain të shëruar, por edhe pamundësinë për ta përballuar ndërhyrjen për transplant: “Para dy ditësh e çuam në Tiranë, por na thanë që nuk është për këtu, por për jashtë shtetit. Nuk kemi asnjë rrugëzgjidhje“.

E ëma, Lije Shehi, është 51 vjeç. E gjunjëzuar financiarisht, po jo në shpresën për shpëtimin e të birit ajo bën thirrje për ndihmë: “Kam marrë borxh për të blerë ilaçet e tij. Më mirë rri vetë pa bukë. I lutem të gjithëve që të ndërhyjnë shpejt“.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA