Rreth 350 mijë euro i ka kushtuar buxhetit të Policisë së Shtetit blerja e një droni profesional, që pritet të vihet në përdorim nga uniformat blu brenda pak javësh.
Bëhet fjalë për një dron që është i aftë të fluturojë deri në lartësinë 800 metra, nga ku mund të fotografojë, filmojë dhe transmetojë në kohë reale në sallën operative se çfarë ndodh në terren.
Top Channel ka mësuar se droni është blerë në kompaninë Airbus, megjithëse për shkak se cilësohet “sekret shtetëror”, prokurimi i tij është kryer larg syve të publikut. Por, për çfarë pritet t’i shërbejë ky mjet Policisë së Shtetit? Droni, që mund të qëndrojë në fluturim për më shumë se 2 orë, do të jetë në dispozicion kryesisht për mbështetjen e operacioneve policore, patrullimin dhe analizimin e zonave me risk të lartë kriminal apo zonave problematike dhe të thella, sa i takon kultivimit të kanabisit.
Droni aktualisht ndodhet në mjediset e Akademisë së Sigurisë, ndërsa një staf i caktuar është trajnuar dhe certifikuar, pasi për përdorimin e tij nevojitet patentë piloti e veçantë, e barazvlefshme më atë të helikopterit.
Në fakt, prej 2 vjetësh Policia e Shtetit ka testuar edhe disa dronë për monitorimin e autostradave, por në fund u vendos të blihej një dron më i fuqishëm dhe multifunksional. Përdorimi i dronëve policorë dhe ushtarakë njihet në mbarë botën, ndërsa për përdorimin civil në disa vende janë caktuar sanksione strikte, për shkak të rrezikut mbi cënimin e privatësisë.
Top Channel