
Gjykata e Krimeve të Rënda konfirmoi masën e arrestit me burg edhe ndaj dy të arrestuarve më të fundit të dyshuar si pjesë e grupit që grabiti 3.2 milionë dollarë në rrugën e Rinasit.
Aleksandër Murataj, vëllai i Admir Murataj ende në kërkim policor, ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen. Edhe pse prokuroria dyshon se ai ka informuar pjesën tjetër të grupit për lëvizjet e vlerave monetare, Murataj e ka shfajësuar veten duke pohuar para trupës gjyqësore se ditën e ngjarjes ka qënë tek dentisti për të mbushur dhëmbët.
Ndërkohë, i arrestuari tjetër, Dritan Sinani ka heshtur para gjykatës, edhe pse ai dyshohet se ka qënë shofer në njërin prej mjeteve të grabitësve.
Deri më tani numri i të dyshuarve për grabitjen e 3.2 milionë dollarëve ka shkuar në tetë, ndërsa vazhdojnë të jenë në kërkim edhe dy persona të tjerë.
Njëri nga të kërkuarit që mendohet se është kreu i grupit është Admir Murataj, ndërsa tjetri është Klement Çala, i cili prej muajsh po gjykohet në mungesë edhe në një çështje tjetër, që e akuzon atë për ngjarjen në burgun e Trikallas, gjatë arratisjes së tetë të dënuarve në 2013.
Top Channel