Masa kundër hashashit në Dibër, paralajmërim për fermerë e policë

17/03/2017 00:00

Çdo punonjës policie në Dibër do të firmosë një deklarate me anë të së cilës do të deklarojë se asnjë prej familjarëve të tij nuk do të kultivojnë bimë narkotike.

Gjatë Konferencës Rajonale për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike në Dibër, Drejtori i Policisë vendore Edmond Tarkaj tha se kjo është një ndër masat e marra për këtë qëllim.

“Çdo blegtor apo fermer që do të marrë me qera apo në përdorim toka bujqësore, sipërfaqe kullote dhe pyjore, do të jetë përgjegjës, nëse në territorin që ka në administrim evidentohet kultivim i bimëve narkotike”, thotë Tarkaj.

Sipas policisë javët e fundit në të gjithë territorin e qarkut Dibër janë zhvilluar 171 kontrolle nga ajri dhe nga toka 89 magazina, ish rezerva shtetërore, bunkerë dhe tunele. 36 shtëpi të pabanuara, ku në njërën prej tyre u sekuestrua lëndë narkotike gjatë kontrollit në 46 sera deri tani nuk është konstatuar asnjë farishte apo fidanë në kubikë.

Policia premton ruajtjen e anonimatit për çdo qytetar që do të denoncojë kultivim të bimëve narkotike.

Top Channel